Barazia e Burrave dhe Grave: Një Realitet i ri

Statements

Barazia e Burrave dhe Grave: Një Realitet i ri

Pa cilësitë, talentet, dhe zhdërvjelltësitë si të grave dhe të burrave, zhvillimi i plotë ekonomik e shoqëror i planetit bëhet i pamundur.

New York—5 April 1993

"Sakohë që gratë të pengohen për të arritur mundësitë e tyre më të mëdha, aq kohë burrat nuk do të jenë në gjendje të arrijnë madhështinë që mund t'u takonte."

KOMUNITETI NDËRKOMBËTAR BAHÁ'Í
BARAZIA E BURRAVE DHE GRAVE:
NJË REALITET I RI

Më shumë se një shekull më parë, dhe për herë të parë në historinë e fesë së reveluar, Bahá'u'lláh-u, Profeti Themelues i Besimit Bahá'í, shpalli barazinë ndërmjet burrave e grave. Ai nuk e la këtë deklaratë thjesht si një ideal apo shpresë shpirtërore, por e thuri atë, si një faktor bazë, në pëlhurën e Rendit të Tij shoqëror. Ai e mbështeti atë me anë ligjesh që kërkojnë të njëjtin nivel shkollimi si për burrin dhe për gruan dhe barazi të drejtash në shoqëri.

Barazia e sekseve është për Bahá'í-të një standard shpirtëror e moral thelbësor për bashkimin e planetit dhe shpalosjen e rendit botëror. Pa cilësitë, talentet dhe zhdërvjelltësitë si të grave dhe të burrave, zhvillimi i plotë ekonomik e shoqëror i planetit bëhet i pamundur. Sepse "...bota e njerëzimit ka dy krahë - mashkullin dhe femrën. Sakohë që këta dy krahë nuk janë njësoj të fuqishëm, zogu nuk mund të fluturojë. Derisa gruaja të mos ketë arritur të njëjtin nivel me burrin, derisa ajo të mos gëzojë të njëjtat fusha të veprimtarisë, njerëzimi nuk do të ketë arritje të jashtëzakonshme; njerëzimi nuk mund të shpejtojë në rrugën e tij drejt lartësive të arritjeve të vërteta." *

Në kalimin e tanishëm të njerëzimit nga adoleshenca në pjekuri, shenja të kësaj barazie në zhvillim e sipër mund të shihen gjithandej. Sipas pikëpamjes Bahá'í, kjo nuk është për t'u habitur, sepse "...sakohë që gratë të pengohen për të arritur mundësitë e tyre më të mëdha, aq kohë burrat nuk do jenë në gjendje të arrijnë madhështinë që mund t'u takonte."

Karakteri i kësaj epoke unike në të cilën po hyjmë vihet më tej në qendër të vëmendjes në këtë thënie nga Shkrimet Bahá'í:

"Në të kaluarën bota ka qenë qeverisur me anë të forcës dhe burri ka sunduar mbi gruan për arsye të cilësive të tij më të dhunshme e agresive, si të trupit dhe të mendjes. Por ekuilibri tashmë është duke ndryshuar, forca po e humbet peshën e saj dhe mprehtësia e mendjes, intuita e cilësitë shpirtërore të dashurisë e të shërbimit, në të cilat gruaja është e fortë, po shkojnë në ngjitje. Pra, epoka e re do të jetë një epokë më pak mashkullore dhe e përshkuar më shumë nga ideale femërore, ose më saktë do të jetë një epokë në të cilën elementet mashkullore e femërore të qytetërimit do të jenë më mirë të balancuara."

UNITETI DHE BARAZIA NË FAMILJE

Komuniteti botëror Bahá'í, për më shumë se njëqind vjet, ka pranuar si të vërtetë parimin e barazisë së sekseve dhe ka kuptuar rëndësinë e vënies në jetë të këtij standardi në jetën individuale, familjare e të komunitetit. Instituti i martesës, baza e familjes në komunitetin Bahá'í, është pjesë e këtij procesi. Para se të bëhet një martesë Bahá'í, çifti, që e kanë zgjedhur vetë njëri-tjetrin, duhet të marrë pëlqimin e të gjithë prindërve dhe t'ia transmetojë atë organit drejtues të komunitetit. Pas kësaj, çifti bën martesën në një atmosferë miratimi prindëror plot dashuri dhe pranimi nga ana e komunitetit.

"Uniteti i familjes duhet mbështetur. Prekja e njërit duhet konsideruar si prekje e të gjithëve; rehatia e secilit rehati e të gjithëve; nderi i njërit nder i të gjithëve."

Me shkëmbimin e zotimeve, gjatë të cilit çdonjëri prej bashkëshortëve përsërit "ne të gjithë, me të vërtetë, do t'i përmbaheni Vullnetit të Perëndisë," çifti i porsamartuar fillon jetën e përbashkët mbi bazën e një uniteti e barazie të vërtetë shpirtërore.

Ky unitet e kjo barazi, që i kanë rrënjët në të drejtat e përgjegjësitë e çdo njeriu përpara Perëndisë, shpaloset në familje. Këtu, vlerat e qëndrimet thelbësore për zhvillimin e individit, të komunitetit, të kombit e të njerëzimit duhet të mësohen që në moshë të njomë. Sipas pikëpamjes Bahá'í,

"familja, duke qenë një njësi njerëzore, duhet të edukohet në përputhje me rregullat e shenjtërisë. Të gjitha virtytet duhet t'i mësohen familjes. Tërësia e lidhjes familjare duhet mbajtur gjithmonë parasysh dhe të drejtat e individëve pjesëtarë të familjes nuk duhet të shkelen.... Të gjitha këto të drejta e prerogativa duhet të ruhen, e megjithatë uniteti i familjes duhet mbështetur. Prekja e njërit duhet konsideruar si prekje e të gjithëve; rehatia e secilit rehati e të gjithëve; nderi i njërit nder i të gjithëve."

BARAZIA NË ARSIM E NË DHENIEN E PËRVOJËS

Edhe pse të dy prindërit kanë përgjegjësi të plotë në edukimin e fëmijëve, nëna është njohur si edukatorja e parë e njerëzimit, dhe ajo duhet të përgatitet me kujdes për këtë detyrë. Në fakt, shkollimi i saj, sipas këndvështrimit Bahá'í,

"është më i nevojshëm e më i rëndësishëm se ai i burrit, pasi gruaja është stërvitësja e fëmijës që nga foshnjëria. Në qoftë se ajo është e mangët e me cen për veten e saj, fëmija medoemos do të jetë me të meta; pra, papërsosuria e gruas sjell papërsosurinë e gjithë njerëzimit, sepse është nëna ajo që përkujdeset, që mbarështon e drejton rritjen e fëmijës."

Meqë Bahá'í-të nuk e ndajnë jetën në pjesë fetare e laike dhe meqë besimi fetar duhet shprehur në veprime shoqërore, arsimi për burrat e për gratë, në të gjitha aspektet e tij, "zë një vend të rëndësishëm në rendin e ri të gjërave." Për këtë arsye, shkollimi

"i çdo fëmije është i detyrueshëm. Në qoftë se familja nuk ka mjaft para që të arsimojë si vajzën ashtu edhe djalin, paratë duhet të përdoren për shkollimin e vajzës, sepse ajo është nëna e ardhshme. Në qoftë se nuk ka prindër, atëherë fëmijën duhet ta shkollojö komuniteti. Veç këtij edukimi të gjerë, çdo fëmije duhet t'i mësohet një profesion, art ose zanat, në mënyrë që çdo pjesëtar i komunitetit të ketë mundësi të fitojë për të jetuar."

Eshtë gjithashtu kuptimplotë që, në frymën e kësaj epoke të re të zhvillimit njerëzor, Bahá'u'lláh-u ka "shpallur adoptimin e së njëjtës rrugë arsimimi si për burrin dhe për gruan," duke e bërë të qartë se "vajzat dhe djemtë duhet të ndjekin të njëjtin program studimesh, duke mbështetur kështu unitetin e sekseve."

NDIHMESA E GRAVE PËR PAQEN

Në Shkrimet Bahá'í premtohet që "futja e grave në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore është një çështje e pakundër-shtueshme dhe e pakthyeshme. Asnjë shpirt nuk mund ta vonojë ose ta ndalojë atë"; që në "asnjë lëvizje" gratë nuk do "të lihen prapa"; që ato "do të arrijnë një nivel të tillë që do të konsidero-

"Kur gratë të marrin pjesë në mënyrë të plotë e të barabartë në punët e botës ... lufta do të pushojë."

het si pozita më e lartë e botës së njerëzimit dhe do të marrin pjesë në të gjitha punët"; që "kur gratë të marrin pjesë në mënyrë të plotë e të barabartë në punët e botës ... lufta do të pushojë." Kjo ndihmesë e grave në vendosjen e unitetit e të paqes botërore do të njihet e zhvillohet në mënyrë të padyshimtë.

"Në epokat e shkuara njerëzimi ka qenë me të meta e i paefektshëm sepse ishte i mangët. Lufta dhe rrënimet e saj e kanë dëmtuar botën. Shkollimi i gruas do të jetë një hap i fuqishëm përpara drejt zhdukjes e fundit të kësaj të keqeje, sepse ajo do të përdorë të gjithë ndikimin e saj kundër luftës... Në të vërtetë ajo do të jetë faktori më i madh në vendosjen e Paqes Universale e të arbitrazhit ndërkombëtar. Me siguri, gruaja do ta zhdukë luftën midis gjinisë njerëzore."

NJË ZË I BARABARTË

Sidoqoftë, gruas i është ngarkuar një përgjegjësi e madhe që të zhvillojë plotësisht potencialet e veta. Ajo duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që "të arrijë një përsosuri më të madhe, të jetë e barabartë me burrin në çdo aspekt, të bëjë përparime në çdo gjë ku ajo ka qenë e prapambetur, në mënyrë që burri të detyrohet të njohë aftësinë dhe arritjet e saj të barabarta."

Sigurisht mirëqenia e njerëzimit varet nga zhvillimi i cilësive e i aftësive potenciale të çdo individi, pavarësisht nga raca, kombësia, klasa, feja ose seksi. Për këtë arsye paragjykimet, që shkaktojnë ndarje e shtypje, janë eliminuar në mënyrë sistematike në jetën e komunitetit Bahá'í. Një sistem unik administrativ, që i ka rrënjët në konceptin e unitetit në diversitet, ngul këmbë në arsimin për të gjithë anëtarët e komunitetit dhe gjithashtu mban parasysh rifitimin e menjëhershëm të të drejtave nga të gjithë ata që ishin privuar prej tyre në të kaluarën. Sistemi elektoral Bahá'í, që funksionon me votim të fshehtë, pa shpallje kandidatësh ose fushatë elektorale, inkurajon pjesëmarrjen e përgjithshme: çdo Bahá'í në moshë madhore mund të zgjidhet në organet administrative lokale e kombëtare që përgjigjen për marrjen e vendimeve në drejtimin e punëve Bahá'í. Lehtësia me të cilën gratë, të privuara prej shumë kohësh nga mundësitë e barabarta, mund të integrohen në jetën e shoqërisë, duket qartë nga pjesëmarrja e grave në të gjitha fushat e jetës së komunitetit Bahá'í.

Sot në jetën e komunitetit botëror Bahá'í, në mbi 200 kombe e territore, gratë janë përkrah burrave në ndërtimin e një shoqërie mbarëbotërore. Ndihmesa e tyre e plotë për vendosjen e një qytetërimi botëror, besojnë Bahá'í-të, është e mundur për shkak të fuqisë shpirtërore gjithpërfshirëse të çliruar në këtë epokë nga Bahá'u'lláh-u, që i ka fshirë të gjitha kufizimet që pengojnë përmbushjen e potencialeve njerëzore. Sepse, sipas pikëpamjes Bahá'í, derisa

"ky është shekulli i dritës, është e qartë që Dielli i Realitetit, Fjala ia ka reveluar veten gjithë njerëzimit. Një nga potencialet e fshehura në mbretërinë e njerëzimit ishte mundësia ose aftësia e grave. Përmes rrezeve flakaritëse të ndriçimit hyjnor, aftësia e gruas është zgjuar e manifestuar kaq shumë në këtë epokë, saqë barazia e burrit dhe gruas është një fakt i vërtetuar."

* Të gjitha citatet janë marrë nga Shkrimet Bahá'í.