Liria për të besuar Përgjigje e Komunitetit Ndërkombëtar Baha'i për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara

Statements

Liria për të besuar Përgjigje e Komunitetit Ndërkombëtar Baha'i për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara

Raport mbi Zhvillimin Njerëzor 2004 Liria për të besuar

New York—1 October 2005

1 Mbi pesëdhjetë vjet më parë, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut shpallte me guxim dinjitetin e brendshëm dhe të drejtat e barabarta të të gjithë pjesëtarëve të familjes njerëzore. E udhëhequr nga vizioni i barazisë për të gjithë, Deklarata ruante të drejtën themelore të çdo qenieje njerëzore për liri mendimi, ndërgjegjeje e feje. Megjithë adoptimin njëzëri1 të kësaj Deklarate nga komuniteti ndërkombëtar dhe kodfikimin e saj në dokumente të mëpasme të legjislacionit ndërkombëtar,2 bota është dëshmitare e intolerancës dhe e diskriminimit këmbëngulës të bazuar në fenë apo besimin, e përhapjes së dhunës në emër të fesë, e manipulimit të fesë në interes të ideologjisë politike, dhe e rritjes së tensioneve midis fesë dhe politikave shtetërore.3 Vala në rritje e ekstremizmit fetar i ka ushqyer këto zhvillime, duke vënë nën kërcënim sigurimin, zhvillimin njerëzor dhe përpjekjet drejt paqes. Shkelje gjerësisht të përhapura të kësaj të drejte - që më shpesh kanë si objekt gratë dhe minoritetet - kanë vazhduar. Për shkak të ndërvarësisë së të drejtave të njeriut, shkelje të tilla kanë komprometuar, ndër të tjera, të drejtën për shkollim, për punë, mbledhje paqësore, nënshtetësi, pjesëmarrje politike, për shëndetin dhe heraherës për vetë jetën. Me të vërtetë, premtimi për liri të fesë apo besimit për të gjithë mbetet një ndër të drejtat njerëzore më të kontestuara e më të ngutshme të kohës sonë.

2 Liria për t'iu përmbajtur besimeve sipas zgjedhjes së çdo njeriu dhe për t'i ndryshuar ato zë një vend qendror në zhvillimin e njeriut. Ajo që e shquan ndërgjegjen njerëzore është kërkimi individual për të kuptuar dhe dëshira për të ditur cilët jemi ne si qenie njerëzore. Ne duartrokasim, si të tillë, Programin e Kombeve të Bashkuara mbi Zhvillimin (PKBZH) për Raportin mbi Zhvillimin Njerëzor të vitit 2004 të titulluar "Liria Kulturore në Botën e Sotme të Ndryshme", i cili, për herë të parë në historinë pesëmbëdhjetë-vjeçare që përfshin Raporti, e njohu lirinë kulturore si "pjesë jetike të zhvillimit njerëzor" dhe afirmoi "rëndësisnë e madhe të fesë për identitetin e njerëzve"4. Me të vërtetë, koncepti dhe analiza e zhvillimit njerëzor në të gjitha Raportet e Zhvillimit Njerëzor ka evoluar në mënyrë mbresëlënëse nga një trajtim materialist i përqendruar te pasuria e të ardhurat dhe ka përqafuar konceptin e zhvillimit si zgjerim i të drejtave të njeriut. Duke përfshirë në analizën e tij lirinë kulturore - përfshirë lirinë e fesë apo të besimit - PKBZH zgjeroi edhe një herë akoma kuadrin konceptual që e mbështet vlerësimin e progresit tek zhvillimi njerëzor.5

3 Fokusimi i PKBZH ishte tamam në kohën e duhur. Zhvillimi njerëzor dhe siguria njerëzore - dy tema që sot janë në vetë zemrën e rendit të ditës në botë - e kanë përqëndruar përsëri vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar tek çështja e lirisë njerëzore. Në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin dhe Qëllimet e Zhvillimit në Mijëvjeçarin, që e pasoi, kombet e botës e cilësonin lirinë si një "vlerë themelore thelbësore për marrëdhëniet ndërkombëtare në shekullin njëzet e një"6. Raporti Arab për Zvillimin Njerëzor i vitit 2002, i njohur gjerësisht - një përpjekje pioniere kjo e dijetarëve arabë - e cilësonte lirinë njëkohësisht si "garantuesen dhe si qëllimin" e zhvillimit njerëzor dhe e të drejtave të njeriut, që e veçon atë si një kërkesë parësore për zhvillimin në atë rajon. Në kuadrin e përgatitjes për procesin e gjerë të rishqyrtimit në takimin e pritshëm të Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm, në dy raporte të rëndësishme para Asamblesë së Përgjithshme, e vuri theksin te raporti jetik midis zhvillimit, sigurimit dhe lirisë njerëzore7. Me të vërtetë, nuk mund të ketë zhvillim pa sigurim, as sigurim pa zhvillim, dhe të dyja këto duhet të ankorohen në një zotim të vendosur për mbrojtjen e të drejtave e lirive njerëzore për të gjithë.

4 Raporti i PKBZH ka krijuar terrenin për një rishikim serioz të rolit të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë në zhvillimin njerëzor - një rishikim i ankoruar në njohjen e dinjitetit të ndërgjegjes njerëzore dhe të udhëhequr nga standardi i barazisë i formuluar nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Si një komunitet fetar i shtrirë në mbarë botën, i cili e shikon ndërgjegjen njerëzore si të shenjtë dhe beson në kërkimin e pavarur të së vërtetës, ne i bëjmë thirrje PKBZH t'u kushtojë vëmendje serioze katër çështjeve jetike që lidhen ngushtë me Raportin e saj: (1) të drejtës së njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij; (2) të drejtës së njeriut për t'ua bërë të njohura bindjet e tij të tjerëve; (3) përgjegjësive të komunitetit ndërkombëtar dhe të qeverive kombëtare kundrejt komuniteteve fetare të margjinalizuara e të organizuara në mënyrë paqësore; dhe (4) përgjegjësive të krerëve fetarë kundrejt mbështetjes e

mbrojtjes së të drejtës për liri të fesë apo të besimit. Ne do të trajtojmë secilën çështje me radhë dhe do të konkludojmë me rekomandime për punën e Kombeve të Bashkuar në këtë fushë.

E DREJTA PËR TË NDRYSHUAR
FENË OSE BESIMET E NJERIUT

5 Raporti mbi Zhvillimin Njerëzor e përcakton lirinë kulturore si "aftësinë e njerëzve për të jetuar e për të qenë ashtu siç dëshirojnë, duke pasur mundësi të përshtatshme për të shqyrtuar zgjedhje të tjera"8. Por raporti fokusohet fillimisht në përjashtimin kulturor9 të bazuar mbi shfaqje 'të jashtme' të fesë apo besimit të njeriut, ndërsa lë jashtë diskutimit aspektin thelbësor të përjashtimit kulturor - konkretisht mohimin e së drejtës 'së brendshme' të njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij10. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, në Nenin 18, afirmon shprehimisht se

"Secili ka të drejtën për liri mendimi, ndërgjegjeje e feje; kjo e drejtë përfshin lirinë për të ndryshuar fenë apo besimin e tij, si dhe lirinë, qoftë vetëm apo në bashkësi me të tjerë dhe publikisht ose privatisht, për të shfaqur fenë apo besimin e tij nëpërmjet mësimit të saj të tjerëve, praktikimit, adhurimit dhe riteve".11

Së drejtës së njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij i është akorduar statusi i një të drejtë të paprekshme - i një të

drejte që mbrohet pa kushte dhe që asnjëherë nuk u nënshtrohet rregullave qeveritare.12 Përmasa

e posaçme mbrojtëse që i akordohet kësaj të drejte pasqyron vendin që ajo zë në ruajtjen e dinjitetit të qenies njerëzore. Me të vërtetë, kërkimi i së vërtetës e

i domethënies së gjërave nga ana e individit është një veprimtari e lidhur shumë ngushtë me ndërgjegjen e njeriut, me dëshirën për ta parë botën me sytë e vet dhe për ta kuptuar atë nëpërmjet aftësisë së perceptimit e inteligjencës së vet. Si e tillë, ajo është e lidhur në mëmyrë të pazgjidhshme me të gjitha aspektet e zhvillimit njerëzor.

6 Megjithatë, për shkak të presionit nga ana e shteteve që kanë qëndrim tjetër, traktatet e mëpasme të Kombeve të Bashkuara kanë përdorur një gjuhë më të dobët për ta përcaktuar këtë të drejtë, duke mos mbështetur standardin e padykuptimtë që shtron Deklarata.13 Madje edhe Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme e vitit 1981 për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës e të Diskriminimit të bazuara në Fenë apo Besimin, e lëshuar nga Asambleja e Përgjithshme, nuk afirmon shprehimisht të drejtën e njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij.14 Atë që është ndoshta shprehja më gjithpërfshirëse e së drejtës që mbahet mend, Komiteti i të Drejtave të Njeriut e ka njëjtësuar me lirinë për të ndryshuar fenë apo besimin, lirinë për të shfaqur besimet, mosushtrimin e detyrimit në çështjet e fesë dhe mosdiskriminimin mbi bazën e fesë, si komponentë thelbësorë të kësaj të drejte që siguron Deklarata.15 Krahas jurisprudencës së Kombeve të Bashkuara, mjaft konferenca e takime botërore gjatë 15 viteve të fundit kanë krijuar një angazhim pothuajse universal për të mbështetur e respektuar lirinë e fesë apo besimit.16 Si nënshkrues të Deklaratës Universale dhe të traktateve e angazhimeve botë rore të mëpasme, qeveritë kanë përgjegjësinë parësore që të krijojnë, ruajnë e mbështesin kushtet e nevojshme që të gjithë shtetasit e tyre të gëzojnë lirinë e ndërgjegjes, të fesë apo besimit.

E DREJTA PËR T'U MËSUAR TË TJERËVE
FENË APO BESIMIN E TIJ

7 E lidhur ngushtë me të drejtën e njeriut për të mbajtur ose ndryshuar fenë apo besimin e tij, është liria për t'ua bërë të njohura ato besime të tjerëve. Brenda rrezes së gjerë të veprimtarive që mund të përfshihen nga liria e njeriut për të paraqitur fenë apo besimet e tij, e drejta për t'ua mësuar fenë apo besimet e veta të tjerëve ka qenë veçanërisht i diskutueshëm.17 Ndërsa Deklarata bën thirrje për mbrojtjen pa kushte të së drejtës 'së brendshme' për liri të fesë, e drejta 'e jashtme' për të paraqitur besimet e veta u nënshtrohet kufizimeve: Qeverive u lejohet të vendosin kufizime të kësaj të drejte me qëllim që "të plotësojnë kërkesat e drejta të moralit, të rendit publik dhe të mirëqenies së përgjithshme në një shoqëri demokratike".18 Por lidhur me këtë liri veprimi të shtrirë mbi shtetet shumë shpesh është abuzuar në përpjekjet për të shtypur popullsitë minoritare dhe kanë lindur pyetje se në çfarë qëndron ndërhyrja e ligjshme e qeverive në shfaqjet e fesë apo besimit.

8 Shtetet pretendojnë se kufizimi i mësimit të feve të tjerëve dhe i predikimit të besimit tek të tjerët është i nevojshëm për të ruajtur disa tradita të veçanta dhe për të mbrojtur të drejtat e popullsive të caktuara, por e drejta për liri feje apo besimi domosdoshmërisht varet nga parashtrimi i ideve të reja dhe nga aftësia për të ndarë me të tjerët e për të marrë informacion.19 Kufizimet mbi bazën e 'ruajtjes së rendit publik' e të 'moralit' gjithashtu janë aplikuar me një liri veprimi të konsiderueshme dhe për një çështje që është në kundërshtim me parimin e mosdiskriminimit.20 Veçanërisht shtete jodemokratike e teokratike vazhdimisht kanë paraqitur rezerva të tilla pa as më të voglën provë, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm interpretimin e tyre të kësaj të drejte, por edhe mbrojtjen nga ana e tyre e të drejtave e lirive që lidhen me këtë, siç janë e drejta për punë e shkollim dhe liria e fjalës dhe e kuvendeve paqësore, sa për të përmendur vetëm disa prej tyre.21 Ndërsa aftësia për të vendosur kufizime mbi lirinë e fesë apo besimit mund të aplikohet në mënyrë të kuptimtë, abuzimet e shteteve me këto kufizime vetëm përkeqësojnë margjinalizimin22 e minoriteteve të shtypura.

9 Mbrojtja e lirisë së fesë apo besimit duhet të kërkojë gjithashtu vigjilencë për t'i ruajtur shtetasit nga forcat e ortodoksisë së skajshme. Nxitja e dhunës, e ekstremizmit ose e armiqësisë në emër të fesë duhet medoemos të ndëshkohet energjikisht e të dënohet pa rezerva.23 Po kështu, shtetet duhet të mbështesin në mënyrë konsekuente barazinë midis grave dhe burravesi një parim moral dhe si kod të së drejtës ndërkombëtare, që dënon veprimet e bëra në emër të fesë, të cilat u mohojnë grave dinjitetin njerëzor dhe lirinë e ndërgjegjes. Së fundi, një strategji parandaluese afatgjatë duhet të rrënjoset në përpjekjet për të shkolluar njëlloj si fëmijët dhe të rriturit, duke i pajisur ata me aftësi shkrimi e këndimi e duke u dhënë mundësi për të mësuar lidhur me sisteme të tjera të besimit. Duke pasur kulturë shkollimi, njerëzit që mund të lexojnë shkrimet e fesë së vet si dhe ato të të tjerëve, që janë të lirë të pyesin e të diskutojnë, dhe që janë në gjendje të marrin pjesë në krijimin e aplikimin e dijes janë më të përgatitur t'u kundërvihen forcave të injorancës e të fanatizmit.24

MINORITETET FETARE
TË MARGJINALIZUARA

10 Sfida që qëndron para shteteve, dhe një ndër punët e tyre kryesore, siç thuhet në Raportin mbi Zhvillimin Njerëzor, është ruajtja e kohezionit shoqëror dhe e unitetit kombëtar përballë pluralizmit kulturor në rritje. Raporti citon rreziqet e instabilitetit shoqëror dhe të protestës së dhunshme si nevojë imperative parësore të shteteve për të rregulluar pretendimet e pakicave. Në fakt, grupet e margjinalizuara që kërkojnë rregullim mund të bëhen të dhunshme, duke i detyruar kështu shtetet të merren me kërkesat e tyre në mënyrë që të parandalojnë trazirat dhe kërcënimet e mundshme për sigurinë kombëtare. Megjithatë, kjo mënyrë reagimi ushqen një model të rrezikshëm dhe ajo vetë i jep preferencë dhunës, veçanërisht kur grupet e organizuara në mënyrë paqësore shohin se kërkesat e tyre vazhdimisht injorohen. Kjo rrit shkallën e diskriminimit kur grupet e shohin veten të përjashtuara mbi bazën e fesë dhe të injoruara si rezultat i mënyrave jo të dhunshme përmes të cilave ato kërkojnë rregullim.

11 Prandaj veprimet e shteteve duhet të shkojnë tej konsideratave thjesht materiale e praktike dhe të udhëhiqen nga forca e parimeve morale e nga sundimi i ligjit. Kryesori ndër këto parime është ai i unitetit - në nivel lokal, kombëtar e botëror - i bazuar në rregullimin paqësor të diversitetit kulturor. Shtetet duhet të heqin dorë nga nocionet e vjetëruara të homogjenitetit kulturor e të uniformitetit ideologjik si garanci e paqes dhe e sigurisë dhe të përqafojnë shumëllojshmërinë e identiteteve e të besimeve, të mbledhura së bashku nën tendën e ligjeve të drejta dhe të të drejtave universale të njeriut, si themeli i një shoqërie të bashkuar e të shëndetshme.

LIDERËT FETARË

12 Përgjegjësinë për të mbështetur parimet universale të lirisë së fesë apo besimit e kanë jo vetëm shtetet por gjithashtu edhe liderët fetarë. Në një botë të trazuar nga dhuna e konflikti në emër të fesë, liderët e komuniteteve fetare kanë përgjegjësi tepër të madhe për t'i udhëhequr pasuesit e tyre drejt një bashkëjetese paqësore e mirëkuptimi të ndërsjellë me ata që mendojnë e besojnë ndryshe. Shumë shpesh, ata që veprojnë në emër të fesë i kanë fryrë zjarrit të urrejtjes e të fanatizmit, duke shërbyer ata vetë si pengesat më të mëdha në rrugën e paqes. Pavarësisht nga këto të vërteta të dhimbshme, ne jemi dëshmitarë të faktit se fetë dhe besimet e botës, me të cilat njëjtësohet shumica e banorëve të tokës, kanë lënë një trashëgimi të gjerë shpirtërore, morale e qytetërimi, që vazhdon të ndihmojë e udhëheqë në këto kohë të turbullta. Me të vërtetë, fetë kanë arritur në themelet e motivimit njerëzor që e ngrejnë vizionin tonë tej koncepteve thjesht materiale të realitetit për të përqafuar nocione më të larta të drejtësisë, pajtimit, dashurisë dhe vetmohimit në shërbim të së mirës së përbashkët.

13 Duke pasur parasysh peshën e kulturës e të fesë në formimin e motivimit e të sjelljes, është e qartë se vetëm mekanizmi legal nuk mund të sjellë angazhimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë që kërkohen për të mbështetur një bashkëjetesë paqësore. Roli i lidërave fetarë si partnerë - me fjalë e me vepra - në krijimin e një kulture respekti për dinjitetin njerëzor dhe lirinë e ndërgjegjes, të fesë, apo besimit, nuk mund të mbivlerësohet. Forcat e historisë sfidojnë tani çdo person të besimit të gjejë brenda shkrimeve e traditave të veta parimet shpirtërore që u japin përgjigje çështjeve të vështira të shtruara nga një epokë e etur për unitet e drejtësi në punët njerëzore. Në këtë ndërmarrje të përbashkët, të bazuar në kuptimin e dinjitetit të brendshëm, të arsyes e të ndërgjegjes së çdo qenieje njerëzore, liderët fetarë duhet të mbështesin natyrën e shenjtë të ndërgjegjes njerëzore dhe t'i akordojnë pa rezerva çdo individi lirinë e kërkimit të së vërtetës.

REKOMANDIME

14 Tani është i nevojshëm një veprim i ngutshëm për të riafirmuar vizionin e të drejtave të barabarta për të gjithë pa diskriminim mbi bazën e fesë apo besimit. Si hap të parë, Kombet e Bashkuara duhet të afirmojnë pa mëdyshje të drejtën e individit për të ndryshuar fenë apo besimim e tij ose të saj sipas ligjit ndërkombëtar25. Një sqarim i tillë do të ndihmonte për të mënjanuar interpretimet e pabazuara të kësaj të drejte dhe për t'i dhënë forcë morale dënimit të politikave e praktikave shtetërore që shkelin parimin e mosdiskriminimit në çështjet e fesë apo besimit.

15 Pas këtij sqarimi duhet të bëhen veprime konkrete - hetimore, legale dhe operative. Së pari, janë të nevojshme kërkime e analiza për të bërë të qarta standardet minimum për pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar dhe për të përcaktuar tregues që të shënojnë praninë ose mungesën e lirisë së fesë apo besimit. Një raport botëror i përvitshëm, i përgatitur nga Kombet e Bashkuara, i cili të vlerësojë gjendjen e kësaj lirie në mbarë botën, do të jepte material të mëtejshëm dhe do të lehtësonte bërjen e krahasimeve gjatë kohës e në rajonet gjeografike.26

16 Veç sqarimit të çështjeve të mësipërme, është e nevojshme që Kombet e Bashkuara ta trajtojnë në mënyrë gjithpërfshirëse e përfundimtare ekstremizmin fetar si një pengesë kryesore në

procesin e paqes.27 Ndërsa ka denoncuar intolerancën dhe përndjekjen fetare, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka qenë e lëkundur për të njohur e dënuar me forcë ekstremizmin fetar që u jep shtysë akteve të dhunshme e

terroriste.28 Duke qenë se gratë mbajnë shpesh barrën më të madhe të ekstremizmit fetar dhe të dhunimeve të lirive njerëzore që i pasojnë, Komiteti për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundrejt Grave duhet të shqyrtojë formulimin e një komenti për çështjet specifike të lirisë së fesë apo besimit për gratë.29

17 Ne mështesim plotësisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm drejtuar Këshillit të të Drejtave të Njeriut me qëllim që të rivendoset përparësia e të drejtave të njeriut siç parashtrohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara30. Krahas reformave të propozuara, Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut duhet të ndërmarrë hapa për të forcuar rolin e Referueses së Posaçme për Lirinë e Fesë, duke shtuar fondet që mandati i saj të bëjë të mundur një mbikqyrje më nga afër të rrymave mbarëbotërore dhe në nivel vendesh.31 Duke qenë se mandati i Referuese së Posaçme përfaqëson një ndër mjetet kryesore për të tërhequr vëmendjen e Kombeve të Bashkuara për çështjet e lirisë fetare, ne rekomandojmë që t'i kushtohet më tepër vëmendje zbatimit të rekomandimeve të parashtruara nga Refruesja e Posaçme. Komisioneri i Lartë mund të shqyrtonte shtrirjen e mandatit të Referuese së Posaçme tej raportimit rigorozisht për shkeljet, për të përfshirë raporte mbi përpjekjet e shteteve për të zbatuar rekomandimet e saj. Në përgjithësi, raportet e Referueses do të përfitonin shumë nga një debat më i qenësishëm e ndëraktiv midis Referueses dhe shteteve në fjalë. Nga ana e tyre, veç kooperimit me mekanizmat e Kombeve të Bashkuara për të drejta e njeriut, shtetet duhet të lejojnë vizitat e ndryshme të kërkuara nga Referuesja e Posaçme dhe të përpiqen të plotësojnë të gjitha nevojat e saj kërkimore.

18 Duke njohur ndërvarësinë e lirisë, të zhvillimit e të sigurisë në botën e sotme, Kombet e Bashkuara kanë shtruar rrugën për një rishikim në kohën e duhur të së drejtës universale të lirisë së fesë apo besimit, për rolin e saj në zhvillimin njerëzor dhe për mjetet e mbrojtjes së saj. Në një përpjekje për të stimuluar debatin e kuptimtë dhe veprimin e nevojshëm, ne kemi nxjerrë në plan të parë standardin e barazisë të përcaktuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe kërkesat e saj për ndërtimin e një kulture respekti ndaj dinjitetit dhe ndërgjegjes së çdo qenieje njerëzore. Ne besojmë se mbrojtja e së drejtës për liri të ndërgjegjes, të fesë apo besimit nuk është thjesht një ushtrim legal i një nevoje pragmatike; ajo është pjesë e një ndërmarrjeje shpirtërore shumë më të gjerë e thelbësore për të formuar qëndrime e praktika që i lejojnë aftësitë njerëzore të dalin në pah e të lulëzojnë. Mendja njerëzore, e pajisur me arsye e ndërgjegje, duhet të jetë e lirë të kërkojë të vërtetën dhe të besojë.

1 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, U.N. Doc. A/810 at 71 (1948). New York: United Nations. Deklarata u adoptua pa asnjë votë kundër, me tetë vende që abstenuan nga miratimi: Polonia, Bjellorusia, Çekosllovakia, Ukraina, Jugosllavia, Afrika e Jugut, Arabia Saudite dhe Bashkimi Sovjetik.

2 Jo më pak se 28 dokumente ndërkombëtare të të drejtave të njeriut përmbajnë dispozita që kanë të bëjnë posaçërisht me lirinë e fesë apo besimit.

3 Të drejtat civile e politike, duke përfshirë intolerancën fetare: Raport i paraqitur nga Z. Abdelfattah Amor, Referues i Posaçëm, në pajtim me rezolutën e Komisionit të të Drejtave të Njeriut 1998/18. U.N. Doc. E/CN.4/1999/58 (1999).

4 Programin e Kombeve të Bashkuara mbi Zhvillimin (2004). 2004 Raporti mbi zhvillimin njerëzor: "Liria kulturore në botën e sotme të ndryshme." New York: Oxford University Press.

5 Raporti shkurorëzoi mitet mbi politikat shumëkulturore si kërcënim për unitetin e sigurinë kombëtare. Ai paraqiste praktikat më të mira dhe modelet e politikave kulturëpërfshirëse që shfaqeshin nëpër botë dhe që përqendroheshin në pesë fusha të politikës: pjesëmarrja politike, feja, sigurimi i drejtësisë, gjuha dhe sigurimi i mundësive ekonomiko-shoqërore.

6 Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin, U.N. Doc A/RES/55/2 (2000).

7 Një botë më e sigurt: përgjegjësia jonë e përbashkët: Raport i Komisionit të nivelit të Lartë për Kërcënimet, Sfidat dhe Ndryshimin, U.N. Doc. A/59/565 (2004); Në liri më të gjerë: drejt zhvillimit, sigurimit dhe të drejtave të njeriut për të gjithë - Raport i Sekretarit të Përgjithshëm, U.N. Doc. A/59/2005 (2005). Në këtë të fundit, Sekretari i Përgjithshëm e vuri theksin te rëndësia e përhershme e thirrjes së Kartës së Kombeve të Bashkuara për të "mbështetur progresin shoqëror dhe standarde më të mira jetese në liri më të madhe", dhe te ndërlidhuria e zhvillimit, e sigurimit dhe e të drejtave të njeriut. Raporti i mëparshëm, duke bërë thirrje për një vision më tërësor të sigurimit njerëzor, e formulonte zhvillimin si "themelin e domosdoshëm për një sigurim të ri kolektiv".

8 2004 Raporti mbi zhvillimin njerëzor, f. 4 (vë shënimin 3 më sipër)

9 Po aty, f. 6. Raporti vë në dukje dy forma të përjashtimit kulturor: 'përjashtimin e mënyrës së jetesës' dhe 'përjashtimin e pjesëmarrjes'. Përjashtimi i mënyrës së jetesës "mohon njohjen dhe adaptimin e një stili jetese që një grup ka zgjedhur"; përjashtimi i pjesëmarrjes ndodh kur "njerëzit diskriminohen sërish ose pësojnë dizavantazh përsa u përket mundësive shoqërore, politike dhe ekonomike për shkak të identitetit të tyre kulturor".

10 Po aty, f. 56-57. Ndërsa Raporti vë në dukje se "individët duhet të jenë të lirë jo vetëm të kritikojnë fenë në të cilën kanë lindur, por edhe ta hedhin poshtë atë për një tjetër, ose të mbeten pa asnjë fe", çështja e së drejtës 'së brendshme' për liri të fesë apo besimit preket aty vetëm kalimthi e pa një përpunim të mëtejshëm. Si një aspekt thelbësor i lirisë kulturore, kjo çështje meriton një vëmendje më të madhe. Siç e pranon vetë Raporti, "vështirë se mund të flitet për peshën normative të lirisë, kur aktualisht nuk mbahet parasysh asnjë mundësi - reale apo potenciale" (f. 17).

11 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 18 (vë shënimin 1 më sipër).

12 Një e drejtë e paprekshme nuk u nënshtrohet rregullave qeveritare, madje edhe në kohë emergjence kombëtare.

13 Liria e njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij nuk është shprehur me një qartësi të tillë në ndonjë dokument ndërkombëtar që nga Deklarata. Për shembull, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (1966) siguron lirinë e individëve "për të pasur ose për të adoptuar një fe apo besim sipas zgjedhjes së vet"; Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966) garanton se të drejtat në këtë Konventë "do të ushtrohen pa asnjë lloj diskriminimi përsa i përket ... fesë ..."; Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundrejt Grave (1979) u bën thirrje Palëve Shtetërore të marrin të gjitha masat e duhura për t'u garantuar grave "ushtrimin e të drejtave njerëzore dhe të lirive themelore mbi bazën e barazisë me burrat"; Konventa për të Drejtat e Fëmijëve (1989) afirmon "të drejtën e fëmijëve për liri mendimi, ndërgjegjeje e feje"; Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Genocidit (1948) përfshin në përcaktimin e saj të genocidit "aktet e kryera me qëllim që të shkatërrojnë ... një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar". Veçanërisht traktatet rajonale si Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut (1969) dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (1950) sigurojnë shprehimisht të drejtën e njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij.

14 Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës e të Diskriminimit të bazuara në Fenë apo Besimin, U.N. Doc. A/36/684 (1981). Deklarata afirmon "lirinë për të pasur një besim ose çarëdolloj besimi sipas zgjedhjes së vet, dhe lirinë, qoftë individualisht apo në bashkësi me të tjerë dhe publikisht ose privatisht, për të shfaqur fenë apo besimin e tij nëpërmjet adhurimit, riteve, praktikimit dhe mësimit të tjerëve". Për fat të keq kjo Deklaratë ende nuk ka fituar statusin e një Konvente ligjërisht të detyrueshme.

15 Komiteti i të Drejtave të Njeriut, Komenti i Përgjithshëm 22, neni 18, U.N. Doc. HRTI\GEN\1\ Rev.1 at 35 (1994). Komponentët thelbësorë të kësaj të drejte që mbeten janë: të drejtat e prindërve, statusi legal, caqet e kufizimeve qeveritare të lejueshme dhe paprekshmëria.

16 Konferenca botërore, deklarata dhe programe veprimi që kanë afirmuar të drejtën e lirisë së fesë apo besimit përfshijnë këto që vijojnë: Deklaratën për Eliminimin e të gjitha Formave të Intolerancës e të Diskriminimit të bazuara në Fenë apo Besimin (1981), Deklaratën dhe Programin e Veprimit të Vienës (1993), Deklaratën dhe Programin e Veprimit të Kopenhagenit (1995), Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin (2000), Takimin e Nivelit të Lartë të Mijëvjeçarit për Paqen - Angazhim për Paqen Botërore (2000), Deklaratën dhe Programin e Veprimit të Durbanit (2001).

17 Komenti i Përgjithshëm 22 (vë shënimin 10 më sipër) thotë se "praktikimi dhe mësimi i fesë apo besimit të tjerëve përfshin akte thelbësore për drejtimin e punëve të tyre themelore nga ana e grupeve fetare, siç janë liria për të zgjedhur udhëheqësit fetarë, priftërinjtë dhe mësuesit e tyre, liria për të ngritur seminare ose shkolla fetare dhe liria për të përgatitur e shpërndarë tekste apo botime fetare." Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës e të Diskriminimit të bazuar në Fenë apo Besimin e vitit 1981 parashikon shprehimisht të drejtën për t'ua mësuar të tjerëve fenë e vet.

18 Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 29 (vë shenimin 1 më sipër). Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike po kështu parashikon kufizime "që janë të përcaktuara me ligj dhe të nevojshme për të mbrojtur sigurinë publike, rendin, shëndetin, ose moralin, ose të drejtat e liritë themelore të të tjerëve" (neni 18).

19 Ndryshimi i identitetit që vjen si rezultat i kthimit në një fe tjetër nuk përbën shkelje të të drejtave njerëzore të individit. Madje është dëshira e njeriut të ruajë një identitet që kërkon mbrojtje legale. Po kështu, shtetet nuk mund të përdorin arsyetimin e ruajtjes së traditave, feve ose ideologjive të veçanta për të mbështetur kufizimet e lirisë së fesë apo besimit.

20 Kufizimet mbi bazën e ruajtjes së "moralit" janë ato më polemiket dhe çojnë në abuzime, duke qenë se një parim moral i bazuar në fe mund të përdoret për të shpërfillur besimin fetar të tjetrit. Komenti i Përgjithshëm 22 i Komitetit të të Drejtave të Njeriut thotë se "kufizimet e mbrojtjes së lirisë së fesë apo besimit nuk duhet të bazohen në parime që rrjedhin nga një traditë e vetme" (vë shënimin 10 më sipër).

21 Shtetet kanë paraqitur gjithashtu rezerva të pathemelta mbi Konventa të tëra të bazuara në zbatimin shtetëro të ligjit fetar. Kjo është në mospajtim me nenin 18 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), që parashikon kufizime të përcaktuar me ligj e që janë "të nevojshme për të mbrojtur sigurinë publike, rendin, shëndetin, ose moralin, ose të drejtat e liritë themelore të të tjerëve". Veç kësaj, në Komentin e Përgjithshëm të tij për nenin 18 të ICCPR Komiteti i të Drejtave të Njeriut vë në dukje se çfarëdo kufizimesh të lirisë për të paraqitur fenë apo besimin me qëllim që të mbrohet morali "nuk duhet të bazohen në parime që rrjedhin nga një traditë e vetme".

22 Margjinalizim është një term i futur jo shumë kohë më parë në gjuhën angleze, i cili ka një kuptim të gjerë që përfshin, ndër të tjera, nocionet: i dorës së dytë, i mospërfullur apo i shpërfillut, i përçmuar, i veçuar, i lënë mënjanë apo i mënjanuar, etj. Në kontekstin e mësipërm është fjala për minoritete fetare, raciale e shoqërore të diskriminuara në të drejtat e tyre. (Shën. i përkth.)

23 Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike ndalon "çdo përkrahje të urrejtjes kombëtare, raciale, ose fetare që përbën nxitje për diskriminim, armiqësi ose dhunë". Po kështu, siç bëhet thirrje në Konventën Kundër Diskriminimit në Arsim (1960) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), shtetet duhet të dënojnë dhe endëshkojnë energjikisht ata që, në emër të fesë, i përdorin arsimin dhe mediat për të shtypur lirinë e ndërgjegjes dhe për të nxitur përçarjen, urrejtjen, terrorizmin, dhunën dhe gjakderdhjen.

24 Ish Referuesi i Posaçëm për Lirinë e Fesë apo Besimit, Abdelfattah Amor, e vuri theksin tek edukimi - që ka të bëjë veçanërisht me të drejtat e njeriut - si një komponent kyç për krijimin e një kulture tolerance e mosdiskriminimi. Z. Amor mblodhi Konferencën Konsultative Ndërkombëtare për Edukimin Shkollor të vitit 2001 lidhur me Lirinë e Fesë e të Besimit, Tolerancën dhe Mosdiskriminimin dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të përpunojnë një strategji mbarëbotërore edukimi për të luftuar intolerancën dhe diskriminimin e bazuar në fenë apo besimin. (U.N. Doc. E/CN.4/1999/58)

25 Për të sqaruar përfundimisht statusin e së drejtës së njeriut për të ndryshuar fenë apo besimin e tij sipas ligjit ndërkombëtar, organi përkatës i Kombeve të Bashkuara mund t'i kërkonte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jepte një mendim këshillimor nëse kjo e drejtë ka arritur statusin e ligjit zakonor ndërkombëtar apo jus cogens. Sipas nenit 96 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit ose ndonjë organ tjetër i Kombeve të Bashkuara i autorizuar nga Asambleja e Përgjithshme mund të kërkojë mendime këshillimore të Gjykatës 'për çështje legale që dalin brenda kuadrit të veprimtarive të tyre'. Neni 36 i Rregullores së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë parashikon juridiksionin e Gjykatës në debatet legale që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me çështje të së drejtës ndërkombëtare.

26 Të Drejtat Civile dhe Politike, Përfshirë Intolerancën Fetare, vë shënimin 3 më sipër.

27 Po aty, 125 (a).

28 OKB ka qenë e rezervuar për ta parë fanatizmin fetar si një burim të terrorizmit, duke iu referuar atij tërthorazi, si për shembull "terrorizmi i shtyrë nga intolerance ose ekstremizmi" (S/RES/1373 (2001)). Madje edhe rezolutat e ndryshme të nxjerra nga Këshilli i Sigurimit, Asambleja e Përgjithshme dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut në përgjigje të akteve terroriste të 11 shtatorit 2001, nuk e identifikojnë fanatizmin fetar si forcën që i ushqen këto akte.

29 Tahzib-Lie, Bahia G. (2004). Gra Kundërshtuese, Feja apo Besimi, dhe shteti: Sfida të sotme që kërkojnë vëmendje". Nga: Lindholm, T., Durham, W. Cole Jr., Tahzib-Lie, Bahia G. (Red.), Lehtësimi i Lirisë së Fesë apo Besimit: broshurë. Oslo, Norvegji: Martinus Nijhoff Publishers.

30 Në liri më të gjerë, vë shënimin 7 më sipër.

31 Vetëm një pjesë e vogël e shteteve anëtare është mbikqyrur nëse janë në pajtim me nenet e Deklaratës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Diskriminimit të Bazuara në Fenë apo Besimin të vitit 1981.